Një nga sheshet kryesore të Budapestit tani do të quhet sheshi “Nënë Tereza”
Në përkujtim të Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, Themeluesja dhe Presidentja e Fondacionit Kulturor Nënë Tereza, Zj. Liri Berisha, ishte e ftuar në një Ceremoni të veçantë, ku një shesh shumë i njohur dhe i dashur për qytetarët e Budapestit mori emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza. Po në këtë shesh, në Distriktin e XII, autoritetet hungareze vendosën dhe një statujë të Nënë Terezës për të nderuar figurën e saj.
Ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Nunsit Apostolik të Vatikanit, Kryepeshkopit Alberto Bottari de Castello, Kardinalit të Hungarisë Peter Erdo dhe bashkëshortes së Presidentit të Hungarisë Zj. Anita Herczegh.
Themeluesja e Fondacionit Kulturor Nënë Tereza, Zj. Liri Berisha dhe zonja e parë e Hungarisë Zj. Anita Herczegh, patën nderin dhe kënaqësinë për të zbuluar bashkarisht pllakatën me emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza, nga i cili ky shesh do të njihet në vijim nga qytetarët Hungarezë.
Kjo ceremoni u përshendet nga Nunsi Apostolik i Vatikanit i cili bëri një përshkrim të jetës së Nënë Terezës si dhe nderoi figurën e humanistet për veprën e saj.
Ndërsa Zj. Berisha midis të tjerave foli për fëmijërinë e Nënë Terezës, familjen e saj dhe vlerat njerëzore të saj. Gjithashtu Zj. Berisha solli përpara të pranishmeve dhe momente të rëndësishme të marrdhënies së Nënë Terezës me Atdheun e saj, Shqipërinë, të cilin pavarësisht qëndrimit të diktaturës komuniste, ajo nuk e harroi e braktisi asnjëherë.
Gjithashtu përshëndetën dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Budapest si dhe përfaqësues nga bashkia e Budapestit.
Aktiviteti vijoi me një vizitë në qendrën e misionareve të Nënë Terezës në Budapest, ku Zj. Berisha u njoh me punën e misionareve në ndihmë të njerëzve në nevojë.
Në mbyllje, Zj. Berisha dhe Zonja e Parë e Hungarisë, si dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Budapest dhe përfaqësues të kishës e besimtarë të shumtë, morën pjesë në meshën e organizuar për nder të Nënë Terezës në Bazilikën e Budapestit nga Nunsi Apostolik i Vatikanit, Kryepeshkopi Alberto Bottari de Castello dhe nga Kardinali i Hungaris Peter Erdo.
|