Ekspozita për Nënë Terezën në Estoni
Zj. Liri Berisha, Presidente e Fondacionit Kulturor "Nënë Tereza", me ftesë të
Kryetarit të Grupit Parlamentar Estoni-Shqipëri, Z. Rain Rosimannus, zhvilloi më
datë 15-16 Nëntor një vizitë në kryeqytetin e Estonisë, Tallinn. Vizita kishte
për qëllim hapjen e ekspozitës kushtuar jetës dhe veprës së humanistes
shqiptare, Nënë Tereza.
Ekspozita u hap në një nga ambjentet më prestigjoze të Parlamentit të Estonisë,
ku morën pjesë Kryetarja e Parlamentit, Zj. Ene Ergma, Zv. Kryetarja e
Parlamentit, Zj. Keit Pentus, përfaqësues të grupeve parlamentare, deputetë,
ambasadorë, përfaqësues të institucioneve dhe komuniteteve fetare në Estoni si
dhe miq e të ftuar.
Ceremoninë e hapi Kryetarja e Parlamentit Estonez, Zj. Ene Ergma e cila gjatë
fjalës së saj falenderoi Zj. Berisha për hapjen e ekspozitës në Estoni si dhe
theksoi ndër të tjera se: Nënë Tereza është një figurë e shquar e cila i përket
jo vetëm Shqipërisë por mbarë botës.
Zj. Berisha gjatë fjalës së saj falenderoi përfaqësuesit e Parlamentit Estonez
për mbështetjen e tyre në hapjen e kësaj ekspozite, si dhe të gjithë të
pranishmit në ekspozitë, duke shprehur se Nënë Tereza përfaqëson dhe mbart
vlerat më të mira humane dhe njerëzore të kombit shqiptar dhe kjo na bën të
ndjehemi krenarë për origjinën e saj shqiptare.
Gjithashtu përshëndetën ekspozitën dhe Kryetari te Grupit Parlamentar
Estoni-Shqipëri si dhe Z. Philippe Jourdan, përfaqesues i lartë i Kishës
Katolike në Estoni.
Gjatë vizitës në Estoni, Zj. Berisha, pati takim me Kryetarten e Parlamentit, e
cila u impresionua nga kultura e pasur e kombit shqiptar pjesë e së cilës është
Nënë Tereza dhe familja e saj. Zv. Kryetarja e Parlamentit shtroi një drekë në
ambjentet e Parlamentit, ku ishin të pranishëm përfaqësues të të gjithë spektrit
politik, ku ndër të tjera u bisedua për zhvillime të përbashkëta ndërmjet dy
vendeve. Gjithashtu Zv. Kryetarja e Parlamentit përgëzoi Zj. Berisha për ritmet
e shpejta të zhvillimit ekonomik dhe atij të turizmit.
Më pas, Zj. Berisha u prit dhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave për
Europën në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila shprehu kënaqësinë dhe uroi
për liberalizimin e vizave.
Gjithashtu, gjatë vizitës në Estoni, Zj. Berisha, vizitoi dhe Spitalin e
Fëmijëve të Estonisë ku u njoh nga afër me shërbimet e ofruara në të gjithë
pavionet e këtij spitali. |