English

Memoriali për Nënë Terezën,
një shtëpi për vlerat e kombit 

Zj. Lirie Berisha, Zj. Jozefina Topalli, Z. Ferdinand Xhaferaj

Projekti arkitektonik për ndërtimin e një Memoriali në nderim të Nënë Terezës, që do të nisë të ndërtohet në fillim të vitit të ardhshëm, u prezantua në 100-vjetorit të lindjes së nobelistes shqiptare Nënë Tereza, nga Fondacioni Kulturor "Nënë Tereza", me Presidente Zj.Liri Berishën, në Tiranë. Në fjalën e saj, Liri Berisha u shpreh mes të tjerave për vlerat kombëtare, që nuk mund të krijohen as në një ditë, as në disa vite, por duhen shekuj, sikurse ndodh me historinë tonë, që ka dhënë shumë figura dhe personalitete të shquara në vend dhe jashtë saj. "Kombi shqiptar ka investuar gjatë gjithë ekzistencës së tij për t'i nxjerrë këta njerëz të shquar, por fatkeqësisht me ta janë bërë edhe gabime.

Këto figura të mëdha të kombit lënë gjurmë në histori dhe duhet të jenë shembuj për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Një nga kulminacionet e vlerave të kombit tonë është dhe mbetet figura e madhe e Nënë Terezës", u shpreh ajo. Më tej, znj. Liri Berisha vlerësoi Nënë Terezën, duke u shprehur se, "vetë emri që ajo mori Nënë, është një fjalë e cila i përmbledh të gjitha vlerat që simbolizonte Nënë Tereza, dashurinë, dhembshurinë, bamirësinë, vetëmohimin, shpresën. Janë këto vlera së bashku që na frymëzuan të themelojmë Fondacionin tonë Kulturor "Nënë Tereza'".

Në këtë kontekst, ajo shtoi se, një nga objektivat kryesore të fondacionit, e shkruar që në fillimet në statut është krijimi i qendrës kulturore dhe muzeale "Memoriali për Nënë Terezën". "Për fondacionin ka dy arsye përse bëhet kjo. Së pari, është një ndjesë ndaj Nënë Terezës për mohimin që padrejtësisht iu bë asaj për 50 vjet nga regjimi diktatorial i kohës. Së dyti, për të edukuar brezat e rinj për vlerat dhe veprat e vërteta të cilat ka mbartur Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj. Memoriali ngrihet në shenjë respekti dhe mirënjohje për veprën e humanistes shqiptare Nënë Terezës, si dhe për t'i bërë jehonë misionit të saj fisnik, mision i cili do të përforcohet dhe përcillet nëpërmjet ndërtimit të Memorialit për nder të saj. Ky memorial do të jetë jo vetëm shtëpia e vlerave të Nënë Terezës, por dhe shtëpia e vlerave të gjithë kombit tonë", tha znj. Berisha. "Ky projekt përveçse do të jetë një qendër muzeale në nderim të vlerave më të bukura dhe universale shqiptare, mendohet të jetë një qendër e vërtetë kulturore aktive në promovimin e vlerave të Nënë Terezës, mësimeve dhe aspiratave të saj për thelbin e përparuar dhe dimensionin thellësisht human të shoqërisë moderne", përfundoi fjalën e saj znj. Liri Berisha.

Memoriali, bibliotekë, mediatekë me foto, video dhe audio nga jeta e Nënë Terezës

Ministri i MTKRS-së, Ferdinand Xhaferaj shprehu mirënjohjen e tij për Fondacionin Kulturor "Nënë Tereza" për dhuratat e shumta që ka bërë. Sipas tij, "projekt-ideja "e memorialit nuk është e vetmja dhuratë. Fondacioni gjatë këtij viti ka organizuar shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit në nder të humanistes së madhe, Nënë Terezës". Memoriali për Nënë Terezën do të ngrihet në sheshin "Nënë Tereza" mes Rektoratit dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe do të jetë me 3 kate, ndër të cilët një nëntokësor. Sipas arkitektit Marin Biçoku, "ky Memorial do të fillojë të ndërtohet në fillimin e vitit të ardhshëm. Objektivat e ndërtimit të këtij Memoriali janë ndjesë, përkujtim dhe vazhdimësi, ndërsa funksionet e këtij Memoriali do të jenë të përhershme, bëhet fjalë për një bibliotekë dhe një mediatekë me foto, video dhe audio nga jeta e Nënë Terezës. Hapësirat e Memorialit do të ndërtohen në mënyrë që të jenë atraktive për të gjitha grupmoshat. Ndërtesa do të përmbajë sallën e mikpritjes, sallën e leximit, muzeun, kopshtin për fëmijë, sallën e lutjes dhe oborrin", u shpreh arkitekti Biçoku gjatë prezantimit të projektit. Në këtë prezantim ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Liri Berisha, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, përfaqësues të trupit diplomatik, komuniteteve fetare, personalitete të artit, kulturës si dhe miq e të ftuar të Fondacionit Kulturor "Nënë Tereza".

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun shqiptar në datat 20 dhe 21 Gusht 2010 e më pas do të hapet në Shkup me datë 25 Gusht.

pas

Dhuroni
Gazeta elektronike
Lajme