EKSPOZITA “ME DASHURI PËR NËNËN TEREZË”
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara me rastin e 100-vjetorit të lindjes së nobelistes shqiptare Nënë Tereza, Zj. Liri Berisha, Presidente e Fondacionit Kulturor "Nënë Tereza", organizon një ekspozitë shumë të veçantë me punimet e piktorit nga Tetova Miftar Memeti, në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozita me titull "Me dashuri për Nënën Tereze" pasqyron fuqinë krijuese të piktorit i cili ka realizuar 100 portrete të Nënë Terezës duke krijuar në sfond një portret të vetëm të saj.
Zbulimi i pikturës origjinale u parapri nga një performance artistike gjatë së cilës të ftuarit formuan së bashku mozaikun me portretin e Nënë Terezës i cili u krijua nga 100 portrete të vegjël ku janë gërshetuar të gjitha ndjesitë e mundshme shpirtërore të përjetuara nga Nënë Tereza përgjatë një shekulli të vrullshëm, të mbushur me sakrifica dhe përkujdesje për njerëzit.
Në këtë ekspozitë morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë Z. Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Zj. Jozefina Topalli, Zv. Kryeministri Z. Ilir Meta, përfaqesues të trupit diplomatik dhe të autoritete shtetërore, përfaqesues të komuniteteve fetare, personalitete të artit e kulturës si dhe miq e të ftuar të Fondacionit Kulturor Nënë Tereza.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun shqiptar në datat 20 dhe 21 Gusht 2010 e më pas do të hapet në Shkup me datë 25 Gusht. |