English

KUJTIME PËR NËNË TEREZËN

Fondacioni Kulturor Nënë Tereza në bashkëpunim me Lordin Watson të Richmondit në Londër nderojnë figurën e Nënë Terezës në një takim përkujtimor në Katedralen Westminster Abbey të kryeqytetit britanik. Këtij takimi i cili vjen në vazhdën e aktiviteteve dhe ekspozitave të suksesshme si brenda ashtu edhe jashtë vendit në përpjekje për të transmetuar e promovuar vlerat e Nënë Terezës i parapriu fillimisht një meshë e cila u mbajt për të nderuar shenjtoren Nënë Tereza.

Ekspozita në Londër

Dr. Liri Berisha në emër të Fondacionit Kulturor Nënë Tereza duke vlerësuar shumë këtë angazhim të Lordit Watson dhe mbështetësve të tjerë, tha se ky aktivitet përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë së Kombit Shqiptar dhe se ndihej shumë e lumtur që figura më e shquar e shekullit të parë të Shtetit Shqiptar është dhe më e njohura ndërkombëtarisht.

“Nënë Tereza është cilësuar si njeriu që bëri profesion dashurinë, ishte Shenjëtorja e kohërave moderne. Ajo shpesh thoshte: "Më mirë ndiz një qiri se sa të mallkosh errësirën." Nënë Tereza është shqiptare. Ajo lindi dhe u rrit në një familje shqiptare në ballkanin e trazuar të fillimit të shekullit 19-të. Nënë Tereza i përket kulturës, traditave e virtuteve shqiptare, ajo u rrit e u edukua nga familja e saj me mikpritjen ndaj miqve, me kulturën e ndihmën për ata që kanë nevojë, me ndjenjën e sakrificës për njerëzit.”

Lordi Watson i Richmondit i cili shfaqi një interes të madh në drejtim të punës së Fondacionit gjatë një vizitë të kryer më herët në Tiranë, në fjalën e mbajtur për Nënë Terezën u shpreh se ky takim përkujtimor bëhet për atë ç'ka Nënë Tereza bëri, për atë ç'ka ajo ishte dhe jo për shkak të vendeve që ndërtoi, gjërave që fitoi apo parave që fitoi.

“Këtu në muzeun e Katedrales Westminster Abbey jemi të rrethuar nga kujtimet e burrave dhe grave të famshme të cilët i shërbyen këtij vendi gjithashtu, si mbretëresha Elizabet e Parë dhe Admirali Nelson.
Nënë Tereza i shërbeu botës duke parë tek çdo qënie njerëzore fytyrën e Zotit, pa marrë parasysh sa të varfër, të sëmurë apo të lënduar ishin. Ajo kishte gjak shqiptar dhe i ka shërbyer atij vendi jo duke punuar për të, por duke na mundësuar ne ta shohim njerëzimin në një mënyrë tjetër. Ndihem i privilegjuar që jam përfshirë në këtë ekspozitë përkujtimore dhe mirënjohje për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë”.

Fondacioni Kulturor Nënë Tereza u dhuroi të ftuarve në këtë aktivitet albumin “Nënë Tereza. Vajza me emrin Gonxhe” ku nëpërmjet objekteve etnografike dhe fotografive të kohës të botuara aty, dëshmohet pasuria kulturore e djepit që e lindi dhe rriti Nënë Terezën dhe se si ajo vinte jo vetëm nga një familje në gjendje të mirë ekonomike, por dhe e pasur me kulturë e humanizëm me të cilat ajo u edukua që në vegjëlinë e saj.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik në Londër, Ambasada Shqiptare në Londër, Dhoma Britanike e Tregëtisë dhe Industrisë, bashkatdhetarë si dhe miq të fondacionit.


Dhuroni
Gazeta elektronike
Lajme